Xixa

Kujdesi për bizhuteritë

Bizhuteritë tona janë bërë për t’u veshur çdo ditë. Me pak kujdes, mbeten të ndritshme për vite me radhë.

Rregulli i artë

Bizhuteritë vishen të fundit dhe hiqen të parat. Lëri kremin, parfumin dhe llakun e flokëve të thahen para se ta vësh unazën ose varësen, dhe hiqi para se të nisësh pastrimin e shtëpisë, stërvitjen ose dushin.

Argjendi 925

Argjendi errësohet natyrshëm në kontakt me ajrin, lagështinë dhe djersën — ky është reaksion i njohur i metalit, jo defekt. Pastroje me sapun neutral dhe ujë të vakët, me gishta ose me furçë dhëmbësh shumë të butë, pastaj thaje mirë me një pëlhurë të pastër.

Për njolla më kokëfortë përdor një pëlhurë të posaçme për argjend. Shmang pastruesit kimikë të shtëpisë dhe zbardhuesin — ata e dëmtojnë sipërfaqen përgjithmonë.

Larja e arit 18K

Pjesët me larje ari kërkojnë dorë të butë. Fshiji me pëlhurë të thatë pas përdorimit dhe mos i fërko fort: shtresa e arit është e hollë dhe fërkimi i vazhdueshëm e hollon aty ku unaza prek tavolinën ose çelësat.

Mos i pastro kurrë me pastrues ultrasonik ose me lëngje për argjend — ato e heqin larjen. Nëse me kohë ngjyra fillon të zbehet, na e sill pjesën dhe e rifreskojmë në atelier.

Perlat

Perlat natyrale janë të gjalla dhe të buta. Fshiji me një pëlhurë pak të lagësht pas çdo veshjeje dhe mos i zhyt kurrë në ujë, sepse peri brenda tyre dobësohet. Asnjë alkool, asnjë parfum, asnjë pastrues.

Ruaji të shtrira, jo të varura, dhe veç e veç nga metalet, që të mos gërvishten.

Gurët

Turmalinat, granatët dhe diamantët e vegjël janë të fortë, por vendosja e tyre nuk e do goditjen. Hiqi unazat me gurë para punëve të rënda dhe kontrolloji herë pas here me gishtin: nëse ndonjë gur lëviz, ndalo së veshuri dhe na shkruaj.

Ruajtja

Çdo porosi vjen me një qese pëlhure. Ruaji pjesët veç e veç në të, në një vend të thatë dhe larg dritës së drejtpërdrejtë. Bizhuteritë e hedhura bashkë në një kuti janë arsyeja numër një e gërvishtjeve.

Dhe mbi të gjitha: vishi. Metali që qarkullon me ty duket gjithmonë më i gjallë se ai që rri i mbyllur në sirtar.

NA NDIQ
@XIXA.KS